Gol dhe asist, sulmuesi shqiptar vazhdon të shkëlqejë me Fiorentinën (VIDEO)

Eljon Toçi vazhdon të shkëlqejë në futbollin italian, ku po spikat si një nga sulmuesit e perspektivës me lojën e tij në radhët e skuadrës së të rinjve të Fiorentinës. Sulmuesi 20-vjeçar shqiptar, i cili është edhe kapiteni i kësaj skuadre, ka qenë protagonist i fitores së sotme me shifrat 2-1 ndaj Udinezes.

Një asist i tij në minutën e 20 solli golin e avantazhit të Lukezit e më pas, kur miqtë barazuan shifrat, Toçi ishte ai i cili zgjidhi ndeshjen. Sulmuesi lëshoi një goditje të fortë nga jashtë zonës duke ndalur topin në rrjetë dhe duke i dhënë ekipit të tij një avantazh të cilin e festoi me shumë entuziazëm në pankinë bashkë me trajnerin Alberto Akuilani.

Ky ishte goli i 5 i këtij edicioni për sulmuesin shqiptar, por këtë herë për të ndihmuar skuadrën që të shkonte vetëm 3 pikë larg kreut në luftën për titullin kampion që ka si objektiv skuadra e qytetit të Firences.


Shtuar 12.02.2023 20:59