Të kesh përballë Atalantën, aq më tepër në këtë periudhë ku zikaltrit e Gasperinit po “fluturojnë”, është gjithmonë e vështirë dhe e komplikuar.
I bindur është Berat Gjimshiti, kapiteni i kombëtares kuqezi dhe lideri i prapavijës së Atalantës. I cili pas fitores me Romën, ndër të tjera tha:
“U vu re qartë përgatitja shumë e mirë që i kishim bërë ndeshjes me Romën. Rëndësi ka që të mos e mbajmë mendjen te finalet me Juven (Kupa e Italisë) dhe Leverkusenin (Europa League). Ka kohë për të menduar për ta.
Në pjesën e parë mund të shënonim 3-4 gola. Dilnim rrjedhshëm në sulm. Krijuam raste të pastra, duhej ta kishim mbyllur takimin. Na mungoi disi saktësia para portës.
Fitore vendimtare për kualifikimin në Champions. Kemi edhe 5 finale deri në fund, mund t’i fitojmë të pesta.
Ndeshja në ‘Anfield’ kundër Liverpoolin na mbushi plot vetëbesim. Tani jemi të bindur se mund të mposhtim çdo kundërshtar.
Realisht nuk është aspak e lehtë të na kesh neve përballë, përkundrazi. Kështu duhet të jetë edhe për 5 kundërshtarët e radhës“, u shpreh mbrojtësi nga Lugina.