Fulham triumfon ndaj Manchester Unitedit

Fulham i ka arkëtuar pikët e plota në udhëtim te Manchester Unitedi, në kuadër të xhiros së 26-të në Premier League.

Mysafirët ishin më të mirë shumicën e kohës, duke fituar në fund me rezultat të ngushtë 1:2.

Fulham pas vetëm disa minutave kishte dy raste të mira përmes Iwobit dhe Muniz, mirëpo Onana bëri disa super pritje që t’ia mohojë golin.

Man Unitedi gjithashtu tentoi disa herë me Garnachon dhe Pereiran megjithatë larg finalizimit.

Ishte Calvin Bassey që kaloi Fulhamin në epërsi pasi u gjend në vendin e duhur pas një topi të kthyer, duke shënuar lehtësisht nga afërsia (65’).

Man Utd u këndell vonë, me Harry Maguire që ishte ‘harruar’ nga mbrojtësit kundërshtar dhe shënoi lehtësisht nga afërsia (89’).

Megjithatë, Fulham nuk u dorëzua dhe zhvilloi një aksion fantastik me Traoren që e gjeti për mrekulli Iwobin, i cili me një goditje të saktë e la të shtangur portierin kamerunas (90+7’).

Me këtë humbje, Man Utd qëndron në pozitën e gjashtë me 44 pikë derisa Fulham zë vendin e 12-të me 32 pikë.


Shtuar 24.02.2024 20:32