FSHF publikon videon, Sylvinho me mesazh të fortë pas ndeshjes me Letoninë: Bravo çuna, këtë dua të shoh

Federata Shqiptare e Futbollit publikoi sot pamje ekskluzive nga dhomat e zhveshjes së Kombëtares pas sfidës me Letoninë, ku trajneri Sylvinho u foli lojtarëve me tone motivuese dhe një ndjesi të fortë solidariteti.

Tekniku brazilian i nisi fjalët e tij duke u kërkuar ndjesë futbollistëve që nuk patën mundësi të aktivizoheshin, duke theksuar se e kupton plotësisht frustrimin e tyre.

“Çuna, ishte një ndeshje shumë e vështirë. Urime të gjithëve, keni bërë shumë mirë.

Kjo është rruga jonë dhe nuk ka tjetër! Më vjen keq nëse dikush nuk luan, e di që është ndjenjë e shëmtuar.

Edhe Marashi që hyri për pak minuta, e ndjej shumë mirë se kam qenë vetë futbollist. Por bravo, faleminderit për qëndrimin tuaj,” – u shpreh Sylvinho.

Trajneri vlerësoi gjithashtu frymën e grupit dhe mbështetjen që lojtarët e stolit i dhanë shokëve në fushë. “Kur Asllani mori përsipër penalltinë, pashë gjithë skuadrën në pankinë, pashë Dakun e Hoxhën pranë vijës së fushës.

Kjo është ajo që dua të shoh, skuadër që mbështet njëri-tjetrin. Bravo çuna, tani nuk e kemi më këtë problem. Punë shumë e mirë!”

Pamjet e shpërndara nga FSHF tregojnë edhe një herë atmosferën e ngrohtë dhe të bashkuar në grupin kuqezi, ku mesazhi kryesor i Sylvinhos mbetet i qartë: sakrifica dhe uniteti janë rruga e vetme drejt suksesit.


Shtuar 15.09.2025 19:47

Tags: ,