Këtë të diel u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare Skënder Brahimaj, një nga figurat më të dashura dhe legjendare të futbollit vlonjat.
Skënder Brahimaj u lind në 19 shtator 1936 në Lepenicë të Vlorës. Në moshën 17-vjeçare nis karriera e tij futbollistike me ekipin e Flamurtarit.
Në vitin 1962 shpallet një nga 10 futbollistët më të mirë të Shqipërisë.
Karriera e tij futbollistike zgjati plot 20 vite.
Më pas ai shërbeu si trajner futbolli.
Në mesin e viteve ’80, Skënder Brahimaj emërohet trajner i ekipit të Tepelenës.
Ishte pikërisht aty ku ai zbuloi, përgatiti dhe ndihmoi në karrierën e tij talentin Fotaq Strakosha, ish-portier i kombëtares shqiptare gjatë viteve ‘90-2000.
Skënder Brahimaj ka marrë në dorë drejtimin e ekipit të Flamurtarit disa vite si trajner e më pas edhe si Shef i Klubit Flamurtari.
Profesor Skënder Brahimaj ka edukuar e përgatitur shumë breza futbollistësh të mirënjohur, si Uran Xhafa, Gezim Troqe, Cane Ahmeti, Kreshnik Çipi e se fundmi Fotaq Strakosha.
Pasioni dhe përkushtimi për sportin e futbollit e ka kthyer Skënder Brahimaj në një nga legjendat e këtij sporti në qytetin e Vlorës dhe jo vetëm.