Egnatia fitoi për të parën herë Superkupën e Shqipëri, duke mundur 2-0 Kukësin pretendent. Ky ishte trofeu i vetëm që u mungonte rrogozhinasve, të cilin e kanë fituar sot duke u kompletuar si ekip në futbollin shqiptar.
Urimeve të shumta për ekipin e trajnerit Edlir Tetova dhe presidentit Agim Demrozi u është bashkuar dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.
Ai përgëzon rrogozhinasit për lojën e bukur, por edhe Kukësin për duelin e luftuar në çdo sekond në fushën e blertë.
“Përgëzime Egnatias për fitimin e Superkupës së Shqipërisë! Një duel i luftuar në fushë edhe nga ana e Kukësit, që edhe pse në Kategorinë e Parë bëri më të mirën ndaj ekipit kampion dhe fituesit të Kupës së Shqipërisë, që kompletoi vitin me trofeun e tretë në vitin 2024.
U uroj të dyja ekipeve suksese në pjesën e dytë të sezonit futbollistik. Edhe njëherë përgëzime për Egnatian, stafin, futbollistët dhe drejtuesit e klubit për këtë triumf historik”, shkruan Armand Duka, teksa ndan disa pamje nga festa e lojtarëve të ekipit të Egnatias në stadiumin “Air Albania”.