Florian Wirtz zbarkon në Angli për transferimin rekord te Liverpooli

Florian Wirtz ka mbërritur në Angli në prag të finalizimit të transferimit të tij rekord te Liverpooli, me një marrëveshje që kap vlerën e rreth 136 milionë eurove.

Ylli i Gjermanisë është parë duke mbërritur në Manchester, ku pritet t’i nënshtrohet testeve mjekësore përpara se të zyrtarizohet kalimi i tij në “Anfield”.

Marrëveshja përfshin një shumë bazë prej rreth 117 milionë euro, ndërsa me bonuset arrin në 136 milionë euro, duke e bërë atë nënshkrimin më të shtrenjtë në historinë e futbollit britanik.

Liverpooli ka fituar garën për 22-vjeçarin ndaj rivalëve të mëdhenj si Bayern Munich dhe Manchester City, të cilët gjithashtu kishin shfaqur interes të madh për mesfushorin sulmues.

Ky transferim tejkalon rekordin e mëparshëm, i cili mbahej nga Moises Caicedo (i transferuar te Chelsea për afro 134 milionë euro) – një tjetër objektiv i dikurshëm i Liverpoolit.

Finalizimi i plotë i marrëveshjes pritet në ditët në vijim.


Shtuar 19.06.2025 20:10