Real Madrid prezantoi zyrtarisht mbrojtësin e ri Dean Huijsen të martën, pasi ai kompletoi kalimin nga Bournemouth për një shumë prej 60 milionë eurosh gjatë javëve të fundit.
20-vjeçari, i cili është reprezentues spanjoll, ka qenë gjithmonë tifoz i Real Madridit në fëmijëri dhe u shpreh i lumtur që realizoi ëndrrën e tij për të luajtur me klubin e zemrës.
Në konferencën për shtyp, pas fjalës mirëseardhëse nga presidenti Florentino Perez, Huijsen foli me emocion për këtë hap të rëndësishëm në karrierën e tij.
Pas përfundimit të kontrolleve mjekësore, ai mbërriti në “Santiago Bernabeu” i veshur me kostum, i shoqëruar nga prindërit dhe motrat e vëllezërit e tij, përpara se të ngjitej në podium për të dhënë deklaratën e parë si lojtar i Real Madridit.
✨ @XabiAlonso 🤝 @DHuijsen ✨#WelcomeHuijsen pic.twitter.com/0lmNgJnejS
— Real Madrid C.F. (@realmadrid) June 10, 2025
Ai do t’i bashkohet stërvitjes me skuadrën të mërkurën.
“Dua të falënderoj presidentin dhe klubin. Që në momentin që Real Madridi më kontaktoi, nuk kam menduar për asnjë ekip tjetër”, u shpreh Huijsen.
“Faleminderit familjes sime që më ka mbështetur gjithmonë – prindërve dhe motrave e vëllezërve të mi. Po bashkohem me klubin më të mirë në botë dhe do të jap gjithçka për të”.
“Do të qëndroj me këmbë në tokë dhe shpresoj të fitojmë shumë trofe së bashku, duke filluar nga Kupa e Botës për Klube”.
“Real Madrid është ekipi i jetës sime, kështu e ndiej, dhe shpresoj të qëndroj këtu për shumë vite”.
“Pa dyshim, kjo është dita më e bukur e jetës sime. Është një ëndërr të jem këtu. Do të jap gjithçka për ekipin. Numri 24 ishte i vetmi i lirë”.
“Sa i përket ofertave, Madridi është klubi më i mirë në botë, nuk ka tjetër si ai”, përfundoi spanjolli.