Në pritje të prezantimit zyrtar, Simone Inzaghi ka firmosur edhe kontratën që do ta mbajë të lidhur me Interin për dy sezonet e ardhshme. Pas përpjekjeve të shumta të Lotitos për t’i ndërruar sërish mendjen, trajneri me origjinë nga Piacenza ka hedhur të zezën mbi të bardhë në kontratën me zikaltrit.
Largimi i Antonio Contes nuk i kapi fort në befasi zikaltrit, që lëvizën menjëherë, duke intensifikuar kontaktet me Simone Inzaghin, të cilit i ofruan një pagë prej 4 milionë eurosh në sezon, plus një tjetër bonus, për ta bindur të firmosë.
Vetë Inzaghi njoftoi dy ditë më parë vendimin për të mos rinovuar më kontratën me Lazion, e cila përfundon më 30 qershor të këtij viti dhe tani pritet të nisë një tjetër eksperiencë në Milano, por me të tjera objektiva.
Është vendosur gjithçka edhe sa i përket stafit të tij teknik, teksa do të jenë të njëjtët që e shoqëruan edhe te Lazio, me Farris zëvendës të parë, Cecchi e Rocchini ndihmës, Cerasaro analizues ndeshjesh dhe Ripert përgatitës atletik.
Në orët e ardhshme pritet që Inzaghi të ketë një takim me drejtuesit më të lartë zikaltër, për të diskutuar për merkaton dhe lëvizjet që mund të bëhen gjatë verës, teksa më pas do të nisë pushimet të paktën deri në mesin e muajit korrik.