Vllaznia ka prezantuar pardje goditjen e dytë në merkaton e janarit pas afrimit të mbrojtësit të majtë brazilian, Andrei Jago Almeida. 25-vjeçari nga Kosova, Alfred Ajdareviç, është zyrtarisht i kuqebluve. Bëhet fjalë për një fantazist, i cili vjen pas eksperiencës në futbollin suedez me klube si Orebro, Varnamo, Frej dhe Orebro Syrianska.
“Ajdareviç vjen te Vllaznia për të dhënë më të mirën e tij, ndërsa ka firmosur një kontratë 6-mujore me të drejtë zgjatjeje për një vit tjetër”, citohej dje në faqen zyrtare të klubit shkodran. Me pak fjalë, e ardhmja e futbollistit, nëse do të qëndrojë apo jo, do të varet shumë nga ajo që ofron në këto muaj për kuqeblutë.
“Panorama Sport” zbulon se mesfushori do të marrë 4 mijë euro në muaj. Në kontratën e tij ka një klauzolë, nga ku paga do të rishikohet pas përfundimit të këtij sezoni. Ajdareviç është vëllai i ish-mesfushorit të Kombëtares, Astrit Ajdareviç, i cili luajti me fanellën kuqezi kur ekipi drejtohej nga Kristian Panuçi. /panoramasport/