Firma çështje ditësh, Lautaro pranë rinovimin me Interin

Pasi zyrtarizuan rinovimet e kontratave të Matteo Darmian, Henrikh Mkhitaryan e Federico Dimarco, tashmë “Zikaltërit” e Inter janë gati për rinovimin e shumëpritur, atë të kapitenit Lautaro Martinez, i cili është kthyer në një pikë referimi, te nënkampionët e Evropës, gjë që u pa edhe në përballjen e fundit, ndaj Verona.

Sipas raportimeve më të fundit të mediave italiane, kontaktet mes “El Toro”-s dhe klubit për zgjatjen e kontratës deri në 2028-ën vazhdojnë, me palët që kanë arritur një marrëveshje të përgjithshme për shifrat dhe tashmë mungon vetëm firma, e cila nuk pritet të jetë shumë larg.

Mbyllja përfundimtare mund të arrijë në fund të janarit, por nuk mund të përjashtohet që mund të shkojë përtej kësaj, sepse nuk ka asnjë lloj shqetësimi nga ana e klubit, që pritet t’i ofrojë 7 milionë euro, plus bonuset 26-vjeçarit, shifër kjo që kënaq mjaftueshëm, ambiciet e kampionët të botës në fuqi. /abcnews.al


Shtuar 12.01.2024 08:02