FIFA prezanton rregullën e re kundër humbjes së kohës, lojtarët që kërkojnë trajtim mjekësor, dy minuta jashtë fushe

FIFA ka njoftuar një rregull të ri që synon të luftojë humbjen e qëllimshme të kohës dhe të rrisë minutazhin real të lojës.

Presidenti i Komisionit të Arbitrimit, Pierluigi Collina, bëri të ditur se çdo lojtar i dëmtuar që kërkon ndërhyrjen e stafit mjekësor do të duhet të qëndrojë jashtë fushës për dy minuta.

Të lidhura

None found

Collina sqaroi se ky rregull do të zbatohet në të gjitha rastet, përveç kur lojtari i ekipit kundërshtar merr karton të verdhë ose përjashtohet nga loja.

Për portierët, rregulli nuk do të aplikohet, duke marrë parasysh rolin e tyre specifik dhe ndikimin që do të kishte mungesa e tyre.

Qëllimi i FIFA-s është të dekurajojë dëmtimet e simuluara ose vonesat e panevojshme, duke detyruar ekipin e lojtarit të dëmtuar të luajë dy minuta në inferioritet numerik nëse ndërprerja kërkon trajtim mjekësor brenda fushës.

Rregulla e re do të testohet fillimisht në Kupën Arabe 2025, e cila zhvillohet në Katar nga 1 deri më 18 dhjetor.

Nëse rezulton efektive, FIFA nuk përjashton mundësinë që ajo të zgjerohet edhe në kompeticione shumë më të rëndësishme, përfshirë Kupën e Botës të verës së ardhshme.

Një ndryshim që pritet të ngjallë diskutime, por që synon të sjellë më shumë lojë reale dhe më pak taktika vonuese.


Shtuar 29.11.2025 23:08