Federata e Futbollit ofron trajtim të specializuar për 14-vjeçarin Luis Meçe

Federata Shqiptare e Futbollit, ka vendosur të ndihmojë Luis Meçen, 14-vjeçarin që u plagos në konfliktin e ndodhur në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” nga një bashkëmoshatar, ku mbeti i vrarë shoku i tij Martin Cani.

Pas daljes nga spitali, futbollisti i akademisë së Dinamo City, ka nevojë për fizioterapi. Luis Meçe, do të trajtohet nga fizioterapistët e ekipit kombëtar në klinikën e specializuar në “Shtëpinë e Futbollit”.

Shpenzimet do të mbulohen nga Federata e Futbollit gjatë gjithë trajtimit.

FSHF, i uron shërim të plotë futbollistit Luis Meçe dhe rikthim sa më të shpejtë në fushë.