Antoine Griezmann, edhe një herë tjetër nga grumbullimi i Francës shpjegon se përse me fanellën e “Les Bleus”, jep shumë më tepër sesa me atë të Barcelonës, ku gjithsesi pretendon se ka nisur të përmirësojë ndjeshëm rendimentin e tij.
“Në Francë kam fituar respektin. Ata, që kuptojnë nga futbolli, e shohin se bëj mirë kudo që shkoj. Në kombëtare gjithë topat kalojnë nga këmbët e mia, ndihem më i lirë, siç isha tek Atletico e Madridit. Te Barcelona ndeshjet e para ishin të komplikuara dhe kritikat shpesh të ekzagjeruara, por besoj se, pa dyshim, në 2021 gjërat janë përmirësuar.”
Ndoshta është më mirë, pasi vështirë se mund të bënte më keq se sa verën e kaluar, kur Griezmann provoi shpesh edhe stolin, pavarësisht se ishte një ndër blerjet më të bujshme të Barcelonës.
“Kur humbet Ligën, trishtohesh. Isha i trishtuar në fillim të sezonit, pasi nuk luaja, nuk ndihesha i rëndësishëm. Jam mësuar të luaj gjithmonë, sidomos në ndeshjet e rëndësishme, dhe e gjeta veten në stol kundër Realit. Por jam vendime të trajnerit, që duhet t’i pranosh dhe të bësh ç’është e mundur që t’i ndryshosh mendjen”.
Më mirë te Franca, edhe pse me fanellën e “Gjelave” qartësisht në fushë shihet një tjetër Griezmann.
“Në kombëtare ndihem më i lirë se te Barça, si për të mbrojtur një top ashtu dhe për një futje në zonë. Kur bëhet fjalë për të mbrojtur, lëviz sipas nevojave të skuadrës, ndonjëherë mbroj si mesfushor, ndonjëherë si anësor. Kur jam i lirë, në aspektin sulmues, ndihem mirë, kur më kërkojnë të sulmoj si anësor krahu, nuk kam as driblimin dhe as shpejtësinë një kundër një dhe ndaj nuk mund të jem një referim për shokët”.
Në prag të Europianit, flitet shumë për një Francë favorite, kjo edhe për faktin se është kthyer Benzema.
“E mora vesh si të gjithë, kur Deschamps publikoi listën. Më surprizoi, por jam i kënaqur. Flasim për Benzemanë, një sulmues i madh, që mund të na ndihmojë shumë. Sinqerisht, duhet të jemi të lumtur që e kemi sërish mes ne, dhe duhet ta bëjmë të ndihet mirë, ta ndiejë besimin tonë. Është një lojtar me të cilin është e lehtë të luash, dhe natyrisht është i mirëseardhur.”