Ernest Muçi drejt shitjes, Legia nxirret jashtë loje nga dy gjigantët e Turqisë

Ernest Muçi, ishte protagonist në dy fitoret e fundit të Trabzonsporit, që po lufton për titullin kampion.

Tre gola të shënuar prej sulmuesit të Kombëtares, që tashmë ka filluar të bindë. Trabzonspori po merr frytet e huazimit dhe po ashtu mendon për të ardhmen.

Trabzonspori duhet të paguajë 8.5 milionë euro për të blerë kartonin e 24-vjeçarit. Më parë janë paguar 1 milionë euro te Beshiktash vetëm për huazimin.

Legia e Varshavës nuk do të ishte aspak e kënaqur nga kjo situatë siç tregohet në Poloni. Kontrata e shitjes së Muçit në Turqi u realizua për 10 milionë euro, ndërsa Legia ruajti 10% të fitimit nga çdo shitje e ardhshme.

Trabzonspori ndërkohë nuk do të kalonte 10 milionë euro për të gjithë operacionin e blerjes. Për këtë Beshiktashi vetë nuk do të kishte fitim nga shuma e shpenzuar më parë, po ashtu as Legia përqindje.


Shtuar 3.12.2025 14:58