Ergys Kaçe gjen golin me Verian, ekipi i tij ngjitet në Superligën greke

Ergys Kaçe ka gjetur rrugën e rrjetës me fanellën e Verias, në sfidën ndaj Kavalës, që përfundoi me rezultatin 2-1, në favor të skuadrës së shqiptarit.

Në minutën e 29-të, mesfushori korçar, rrëmben skenën, ku me një gjuajtje të kalibruar nga goditja e dënimit, e dërgoi topin në rrjetë.

Ky ishte goli i dytë në kampionat me fanellën e Verias për Kaçen, që iu bashkua ekipit grek, nga radhët e Partizanit, në merkaton e janarit.

28-vjeçari nuk arriti të linte gjurmë në futbollin shqiptar, teksa kërkon të rikthehet më i fortë se kurrë, nëpërmjet kësaj aventurës me Verian, që sezonin e ardhshëm do të militojë në Superligën greke.

Skuadra e Kaçes, e mbylli kampionatin në vendin e parë me 75 pikë në 32 ndeshje, 8 më shumë se AEL Larisa e vendit të dytë.


Shtuar 1.05.2022 21:47