Enis Bardhi përballë Luka Modric, Maqedonia cakton miqësore ndaj Kroacisë

Para fillimit të Kampionatit Europian, kundërshtari i Shqipërisë në grupe, Kroacia do të përballet me Maqedoninë e Veriut në një ndeshje kontrolluese.

Federata e futbollit të Maqedonisë ka konfirmuar sot ndeshjen miqësore me Kroacinë, e cila do të zhvillohet me 3 qershor të vitit 2024 në Rijekë.

“Jemi të kënaqur që do të luajmë një ndeshje kontrolluese kundër Kroacisë, një prej skuadrave më të forta evropiane. Ky është një konfirmim i statusit tonë, kombëtaret e forta e shikojnë përfaqësuesen tonë me shumë respekt. Ndeshja do të jetë një mundësi e shkëlqyer për ne që të përparojmë si skuadër dhe sigurisht që të përpiqemi të rrisim konkurrencën në skuadër para fillimit të ndeshjeve kualifikuese”, ka thënë seleksionuesi Bllagoja Milevski.

Ndeshjen e fundit kundër Kroacisë, Maqedonia e ka luajtur më 12 tetor 2012 në eliminatoret e Botërorit 2014, në të cilën është mposhtur me rezultat 2:1.

Në tetë duelet e deritanishme me Kroacinë, Maqedonia ka një fitore me shifra 2:0 edhe atë me 17 nëntor të vitit 2007 në eliminatoret e Europianit 2008 dhe dy barazime. /Telegrafi/


Shtuar 28.12.2023 11:27