Ëndrra “play-off” e ekipeve shqiptare: Teuta, Laçi e Prishtina zbresin në fushë

Teuta, Laçi dhe Prishtina janë tre ekipet shqiptare që po garojnë në kompeticionet evropiane, saktësisht në Conference League. Kampionët e Shqipërisë luajnë sonte në mbrëmje takimin e parë të raundit të tretë të turneut.

Ekipi i Edi Martinit do të ketë përballë Shamrock Rovers. Dueli i parë ndaj kampionëve të Irlandës zhvillohet sonte në stadiumin “Tallaght Stadium” të Dublinit, duke nisur prej orës 21:00, ndërsa përballja e kthimit pas një jave në Elbasan.

Dy orë më herët zbret Laçi në fushë. Bardhezinjtë presin Anderlecht në “Elbasan Arena” (19:00). Një ndeshje e fortë dhe shumë interesante. Ekipi i Shpëtim Duros do të tentojë mrekullinë e radhës përballë belgëve, teksa pritet të mbështetet nga një numër i madh tifozësh.

Takimi i kthimit do zhvillohet të enjten e ardhshme në “Lotto Park” të Brukselit. Rival shumë i fortë edhe për Prishtinën.

Kampionët e futbollit dardan, presin Bodo/Glimt, kampionen e Norvegjisë, në “Fadil Vokrri” të Prishtinës, duke nisur prej orës 20:00. Pas një jave dueli i kthimit në tokën skandinave.

Conference League, raundi i tretë (ndeshjet e para)
LAÇI-Anderlecht (19:00)
PRISHTINA-Bodo/Glimt (20:00)
Shamrock Rovers-TEUTA (21:00)


Shtuar 5.08.2021 11:20