Eliminimi i Barcelonës, Xavi: Ky është realiteti ynë dhe më zhgënjen

Trajneri i Barcelonës, Xavi është shprehur i zhgënjyer pas humbjes nga Bayern Munichu dhe eliminimit të klubit katalunas nga grupet e Ligës së Kampionëve.

Barcelona u ndesh me Bayern Munich në Allianz Arena mbrëmjen e së mërkurës, ku i duhej fitorja për të kaluar tutje, por në vend të kësaj u mposhten 3-0 dhe duke qenë se Benfica mundi Dynamo Kyiv në ndeshjen tjetër të grupit, katalanasit mbeten në vendin e tretë që i dërgon në Ligën e Evropës.

Ky eliminim i klubit nga Camp Nou vjen pas plot 21 viteve dhe është me të vërtetë i hidhur, aq sa e tregon edhe reagimi i trajnerit Xavi në konferencën pas ndeshjes.

“Ata na kanë dominuar, ne gjithmonë duam të dominojmë dhe të nënshtrojmë rivalin tonë, por ka qenë anasjelltas”, ka thënë fillimisht Xavi pas ndeshjes.

“Ne duhet të kërkojmë më shumë nga vetja. Ne jemi Barcelona. Kjo duhet të jetë një pikë kthese për të ndryshuar dinamikën dhe shumë gjëra. Ne nuk kemi konkurruar. Kjo është Liga e Kampionëve.

Por, ky është realiteti ynë. Është situata me të cilën përballemi dhe duhet ta përballojmë situatën me dinjitet. Sot fillon një epokë e re dhe një fazë e re. Unë jam i zhgënjyer. Ky është realiteti ynë dhe më pengon. Por ne duhet të përballemi me të. Nuk ka rrugë tjetër.

Sot fillon një fazë e re dhe ne fillojmë nga e para. Objektivi ynë është Liga e Kampionëve, jo Liga e Evropës. Duhet të punojmë shumë. Nuk më pëlqen fjala dështim, sepse jemi përpjekur. Unë e dua këtë klub dhe do të jap jetën time për ta bërë atë të funksionojë”, përfundoi trajneri i Barcelonës.

 


Shtuar 9.12.2021 08:31