Egnatia kryen dy rinovime të rëndësishme

Klubi i Egnatias ka bërë disa lëvizje të rëndësishme në merkato gjatë janarit, për të përforcuar radhët me lojtarë cilësorë. Por paralelisht me afrimet e reja, klubi po punon edhe për zgjatjen e kontratave të futbollistëve ekzistues në radhët e rrogozhinasve.

Sot, klubi ka bërë të ditur se ka zgjatur marrëveshjen me Albano Aleksin dhe Renato Malotën. Mesfushori u afrua gjatë verës në radhët e Egnatias dhe është kthyer në një nga shtyllat e ekipit gjatë pjesës së parë të sezonit që sheh Egnatian si kryesuese të shkëputur nga ndjekësit në Superiore. Edhe mbrojtësi ka qenë pjesë e rëndësishme e këtij rrugëtimi dhe po ashtu, ka zgjatur me një tjetër vit akordin.

“Klub Futboll Egnatia njofton se ka arritur të rinovojë kontratën me mesfushorin Albano Aleksi. 31-vjeçari ka firmosur kontratën e re me klubin tonë deri në vitin 2025”, shkruhej në njoftimin e klubit për mesfushorin.

“Klub Futboll Egnatia njofton se ka arritur të rinovojë kontratën me kapitenin Renato Malota deri në vitin 2025. Malota luan sezonin e dytë me fanellën e Egnatias ku në sezonin e tij të parë fitoi Kupën e Shqipërisë duke shkruar emrin në historinë e klubit tonë”, njoftoi klubi nëpërmjet rrjeteve sociale për mbrojtësin. /abcnews.al