Në prag të supersfidës kundër Real Madridit, Juventusi po zhvillon seancën e fundit stërvitore në kompleksin e Continassa-s, ku po përgatitet për udhëtimin në Spanjë.
Lajmi më i mirë për trajnerin Igor Tudor është rikthimi në grup i Edon Zhegrovës dhe Fabio Mirettit, të cilët kanë lënë pas problemet fizike dhe janë stërvitur sot me pjesën tjetër të skuadrës.
Në fushë ishin të pranishëm edhe drejtori teknik François Modesto dhe Darren Burgess, i cili është emëruar së fundmi si Director of Performance i klubit bardhezi, duke ndjekur nga afër përgatitjet e ekipit.
Pas përfundimit të stërvitjes dhe drekës, Manuel Locatelli dhe shokët e tij do të nisen me avion drejt Madridit, ku në mbrëmje, në orën 19:30, do të zhvillohet konferenca për shtyp e trajnerit Tudor dhe një prej futbollistëve, drejtpërdrejt nga stadiumi “Santiago Bernabéu”.
Sfida ndaj Real Madridit pritet të jetë një test i rëndësishëm për Juventusin, që kërkon të rikthehet te rezultatet pozitive që mungojnë prej një muaji.