E trishtë, ndërron jetë legjenda e futbollit (EMRI+FOTO)

Legjenda e futbollit belg, Glen De Boeck, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare.

De Boeck, i cili luajti 36 ndeshje me Belgjikën gjatë karrierës së tij, pësoi një hemorragji të madhe në tru që e la në koma për tre ditë.

Mediat e huaja shkruajnë se ikona e Anderlechtit u rrëzua në shtëpi të premten, përpara se të dërgohej me urgjencë në Spitalin Universitar të Antwerpit.

Fatkeqësisht, dëmtimi ishte shumë i rëndë që ai të shërohej. Familja e tij konfirmoi se ish-mbrojtësi vdiq mbrëmë i rrethuar nga të dashurit e tij. Ai ka lënë pas dy vajza, Bo dhe Caro.

De Boeck, e filloi karrierën e tij me klubin e qytetit të lindjes FC Boom përpara se të nënshkruante për Mechelen.

Gjigantët belgë Anderlecht e morën mbrojtësin në vitin 1995, ku ai ishte kapiten i skuadrës dhe luajti për 10 vjet deri në daljen e tij në pension në vitin 2005 për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju.

Pasi vari këpucët në gozhdë, 54-vjeçari u bë ndihmës trajner te Anderlecht përpara se të niste karrierën e tij si trajner.

Puna e tij e parë ishte te Cercle Brugge, ku qëndroi për tre vjet përpara se të merrte drejtimin e Germinal Beerschot. Më vonë, De Boeck drejtoi ekipin në Holandë me VVV-Venlo përpara se të kthehej në Belgjikë, ku mori drejtimin e Beveren, Mouscron, KV Kortrijk dhe Lokeren.

Puna e tij e fundit si trajner e bëri të kthehej te klubi i Ligës Belge të Pro League, Kortrijk, në vitin 2023. Më pas, ai u bë një komentator i shquar në televizionin belg.

Sipas mediave të huaja, familja De Boeck, ka përjetuar një vit shkatërrues me humbje personale. Glen humbi babain e tij, Louis, 80-vjeç, nga një sëmundje e gjatë në fillim të këtij viti.

Gjatë funeralit të tij, nëna e De Boeck, Louisette, u rrëzua nga një hemorragji në tru. Mjekët zbuluan se ajo vuante gjithashtu nga kanceri në pankreas dhe ajo vdiq tragjikisht një muaj pas vdekjes së burrit të saj.


Shtuar 8.12.2025 14:54