Një lajm i trishtë ka ardhur nga bota emedias dhe sportit në Itali. Zëri historik i gazetarisë dhe komentit sportiv italian, si edhe i kombëtares së kaltër, Bruno Pizzul, ndërroi jetë në spitalin e Gorizias këtë të mërkurë.
Ai do të mbushte 87-vjeç të shtunën. Pizzul është një emër dhe zë i njohur në Shqipëri, kjo pas viteve 1990 kur televizionet italiane ishin “dritarja” jonë për në Evropë.
Pizzul ishte zëri i netëve magjike të Botërorit 1990 dhe i ngjarjeve më historike që shënuan futbollin në Itali. “Robertobaggiooooo” i tij hyri në zemrat e të gjithëve.
Ai mbuloi ndeshjet e Italisë për 16 vjet, nga 1986 deri në 2002, e fundit prej të cilave ishte Itali-Slloveni më 21 gusht 2002, një miqësore e luajtur në Trieste dhe e humbur 1-0 nga të kaltrit.
Bruno komentoi ndeshjet e kombëtares së Italisë në pesë Kupat e Botës, katër Kampionatet Evropiane dhe në të gjitha ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës dhe Kampionatit Evropian, me përjashtim të finales së vendit të tretë në Itali ’90 (vetëm sepse ishte i zënë në ndeshjen e titullit të nesërmen në ‘Olimpico’).
Karriera – Komenti i tij i parë ishtë më 8 prill 1970 (në Rai që nga 1969), luhej Juventus – Bologna, play-off i Kupës së Italisë në terren neutral në Como, filloi në minutën e 16-të sepse ai mbërriti me vonesë.
Në vitin 1972 ai mbuloi finalen e parë ndërkombëtare, Kampionatin Evropian të fituar nga Gjermania Perëndimore ndaj BRSS 3-0.
Në vitin 1973 ai ishte zëri i suksesit të Milanit në Kupën e Kupave. Komentet e tij të fundit ndërkombëtare ishin në vitin 1999 (Lazio në Kupën e Kupave dhe Parma në Kupën UEFA).
Ai ishte gjithashtu komentuesi i finales së Kupës së Kampionëve të Juventusit, kur ndodhi fatkeqësia ‘Heysel’ më 29 maj 1985.
Në vitet kur Seria A dominonte Evropën dhe skuadrat italiane ishin thuajse në çdo finale, ai ishte aty. Pizzul ishte gjithashtu mikpritës i ‘Domenica Sportiva’, si dhe ‘Sport Sera’, ‘Domenica Sprint’ nga 1976 deri në 1990.