E dogjën fanellën e tij, Felix reagon ndaj tifozëve të Atletico Madridit: Ata nuk e dinë çfarë ka ndodhur

Sulmuesi i Barcelonës, Joao Felix, në huazim nga Atletico Madridi, ka thënë për mediat se tifozët e Atleticos nuk e dinë se çfarë po flasin kur bie fjala tek situata e tij në ‘Ëanda Metropolitano’.

Felix ishte cilësuar gjerësisht nga disa persona si ‘non grata’ në ‘Metropolitano’ dhe pllaka e tij jashtë stadiumit që i ipet çdo lojtari që arrin 100 ndeshje me klubin, fanella e tij u dogj, u pështye dhe u mbulua me jashtëqitje.

Për këtë ka reaguar portugezi i cili ka thënë se tifozët në fakt nuk e dinë se ku qëndron saktësisht e vërteta.

“Siç kam thënë më herët, tifozët në tribuna nuk e dinë se si kanë ndodhur gjërat gjatë kohës sime këtu. Çfarë thonë ata nga jashtë është se unë shkoj keq me ish-bashkëlojtarët e mi, dhe kjo nuk është e vërtetë, pasi mund ta shihni se si unë po bisedoja me Samuel (Lino) dhe Lemar, të gjithë që kaluan më përqafuan, folën me mua dhe më pyesnin si isha unë, familja ime, dhe çdo gjë tjetër”, ka thënë fillimisht Felix.

“Tifozët nuk e dinë se çfarë ka ndodhur nga brenda këtu, unë i kuptoj në mënyrë perfekte reagimet e tyre, por nuk mund të shihem si djali i keq në këtë situatë”, u shpreh ai.

Felix gjithashtu u pyet nga gazetari Gustavo Hoffmann nga ESPN nëse ai kishte raporte të ngushta me brazilianët tek Barcelona, për shkak të gjuhës që flasin.

“Po, më pëlqejnë brazilianët, unë kam një raport të mirë me ta. Më pëlqen mënyra se si ata i qasen jetës”, përfundoi portugezi. /Telegrafi/


Shtuar 18.03.2024 19:26