E ardhmja e Messit një mister, babai i tij bën lëvizjen surprizë

Rinovimi i Lionel Messit me PSG mbetet i mbuluar me mister. Marrëveshja, e paralajmëruar nga palët para Kupës së Botës, nuk duket të jetë aq e afërt në realitet. Babai i kampionit argjentinas u takua me drejtuesit e PSG-së të mërkurën.

Një takim ballë për ballë që megjithatë nuk çoi në një marrëveshje përfundimtare. Asnjë formulë për rinovim, asnjë zgjatje e kontratës që skadon në qershor. Siç raporton “L’Equipe”, optimizmi i disa javëve më parë është zbehur.

Gazeta franceze thekson se Messi nuk po nxitohet, duke u përpjekur të kuptojë propozimin e vërtetë të Inter Miami, me klubin amerikan gati ta mbulojë me para për të luajtur në MLS. Ndërkohë, një udhëtim i Jorge Messit po shkakton diskutime, duke ndezur thashethemet për të ardhmen e djalit të tij.

Babai i kampionit të botës, pas takimit me drejtuesit e PSG-së, zbarkoi në Barcelonë. Arsyeja e udhëtimit të tij në Spanjë mbetet e mbuluar me mister. Mediat spanjolle shkruajnë se Jorge po dëgjon të gjitha propozimet e mundshme dhe në fund do të vendosin bashkë me djalin për të ardhmen.


Shtuar 16.02.2023 12:00