Dy ndryshime në “finalen” me Ukrainën, si pritet të luajë sot Shqipëria

Tuci apo Daku, cili do të jetë sulmuesi që do ta nisë titullar ndeshjen e sotme kundër Ukrainës?

Duke parë konsumimin fizik që Indrit Tuci pësoi me Çekinë dhe Silvinjo u shpreh pas ndeshjes që në pjesën e dytë ishte vetë sulmuesi që kërkoi ndërrim, shtojmë këtu edhe kohën e shkurtër të rikuperimit, logjika të çon se në këtë pozicion do të ketë rotacion dhe do të jetë Mirlind Daku, ai i cili pritet ta nisë nga minuta e parë.

Sulmuesi shtatlartë ishte i pezulluar ndeshjen e parë, për shkak të kartonëve dhe tashmë do të jetë gati për trajnerin në duelin e sotëm.

Një tjetër pozicion i cili mbetet për t’u mbuluar është krahu i djathtë. Shanset që Asani të jetë i gatshëm janë shumë të pakta dhe në këtë krah, Silvinjo mendohet t’i besojë Seferit.

Sulmuesi, i cili në kualifikuese luante si mesfushor i majtë, që prej shtatorit, me ekipin kombëtar po stërvitet në krahun e djathtë, pasi Bajrami është spostuar majtas, si edhe është gjetur një zëvendësues si Hoxha.

Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që Bajrami të kalojë djathtas dhe Hoxha të jetë titullar, por varianti i parë me Seferin, Dakun dhe Bajramin në treshen përpara, është më i mundshëm.

MESFUSHA DHE MBRAPA- Trajneri e pranoi edhe vetë që është ngushtë me lojtarët në mesfushë. Për momentin në stol për mesfushorët qëndrorë është vetëm Amir Abrashi.

Kështu që titullarë pritet e njëjta treshe. Ramadani-Asllani dhe Laçi mendohet ta nisin nga fillimi ndeshjen me Ukrainën.

Reparti i mbrojtjes luajti një ndeshje të mirë me Çekinë. Silvinjo ka treguar se ndryshimet nuk para i pëlqen shumë në skuadër dhe sot mendohet që me të njëjtët mbrojtës ta nisë edhe këtë takim. Në qendër do të jetë Ajeti dhe Ismajli, ndërsa nga krahu i djathtë Ivan Balliu dhe majtas Mario Mitaj. Në portë Tomas Strakosha.

STËRVITJA E FUNDIT- Kombëtarja e Shqipërisë ka kryer në stadiumin “Arena Kombëtare” seancën e fundit stërvitore, para ndeshjes me Ukrainën. Ky takim do të luhet sot në orën 20:45, pikërisht në stadiumin Kombëtar.

Të gjithë sytë ishin te Jasir Asani, që zhvilloi stërvitje të veçuar nga pjesa tjetër e grupit. Kjo për shkak të dëmtimit që pësoi kundër Çekisë, ndërsa sulmuesi kuqezi raportohet se kërkon të provojë deri në fund mundësinë për të qenë në fushë, edhe pse diçka e tillë mendohet të jetë shumë e vështirë.

Seanca stërvitore zgjati rreth një orë dhe skuadra në fushë provoi disa skema të ndryshme loje dhe vendosje taktike. Atmosfera ishte pozitive, teksa kujtojmë se në rast fitore, Shqipëria siguron një nga dy vendet e para. E kundërta ndodh në rast se Kombëtarja humbet sepse rrezikon rënien në Ligën C.


Shtuar 19.11.2024 09:35