Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ishte i ftuar mbrëmjen e së mërkurës në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku zhvilloi një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu në prag të ndeshjes së shumëpritur Shqipëri–Serbi.
Gjatë intervistës, Presidenti Duka foli për përgatitjet, objektivat, interesin e jashtëzakonshëm të tifozëve dhe rëndësinë e kësaj sfide në kuadër të objektivit madhor të Shqipërisë për kualifikimin në Kupën e Botës 2026.
Gjithashtu, Presidenit Duka ndau detaje mbi Kampionatin Europian U-21 që do të zhvillohet në vitin 2027 në Shqipëri dhe Serbi, si dhe vlerësoi suksesin organizativ të Europianit U-17, që u zhvillua për herë të parë në vendin tonë në bashkëpunim me UEFA-n.
Pas intervistës, emisioni “Opinion” transmetoi edhe dokumentarin “Shqipëria në Kampionatin Europian 2024!”, i cili pasqyron rrugëtimin historik të Kombëtares shqiptare drejt Gjermanisë.
Më poshtë, intervista e Presidentit Duka për emisionin “Opinion”:
Ndeshja me Serbinë? – Nuk mund ta fsheh. Është një ndeshje që ka shumë emocion dhe tension. Nuk besoj që është thjesht nga incidenti që ndodhi në Beograd. Ka shumë ngarkesë dhe emocion. Përpiqemi shumë që ta çdramatizojmë situatën brenda skuadrës. Me fjalë e kuptojmë të gjithë; unë, trajneri, stafi, futbollistët, që kjo është një ndeshje futbolli. Silvinjo e njeh historinë e Shqipërisë, e njeh mentalitetin e shqiptarëve. Jeton me këtë mentalitet. Edhe ka lexuar, e ka biseduar me ne përgjatë gjithë kësaj kohe. E përjeton në një farë mënyre, ndoshta jo njësoj si ne, mbase jo njësoj si futbollistët me origjinë nga Kosova, por e njeh realitetin.
A është Serbia rivali ynë për vendin e dytë në grup? – Kjo është kryesorja. Ne nuk duhet ta mbingarkojmë situatën. Ne duhet që i gjithë interesi i shqiptarëve brenda dhe jashtë stadiumit të jetë për ta ndihmuar skuadrën, për ta shtyrë drejt fitores.
Gjendja e skuadrës? – Kemi pasur Manajn në gjendje jo të mirë në dy ditët e fundit, por besoj se deri ditën e shtunë do të jenë të gjithë në dispozicion të trajnerit për t’u aktivizuar. Uroj që të vazhdojë kështu deri të shtunën.
Drejtuesit e ekipit janë të qetë para kësaj ndeshje? – Nuk është shumë e thjeshtë që në një ndeshje të tillë të jesh shumë i qetë. Shpresoj që derisa të fillojë ndeshja, qetësia të kthehet dhe të marrim maksimumin që ka skuadra jonë. Për t’u kthyer te ndeshja e tanishme me Serbinë; është një ndeshje e rëndësishme për objektivin sportiv. Edhe për të gjithë ata që e mbështesin dhe duan Kombëtaren, kështu duhet ta mbështesin, që ne kemi objektiv dhe shpresë që të shkojmë në “Play Off”, sepse vendi i parë në këtë grup është shumë i vështirë dhe pothuajse i pamundur. Shanset për të arritur në vendin e dytë janë mes nesh dhe Serbisë, dhe kjo e kthen më shumë këtë ndeshje në një derbi sportiv. Është ndeshje realisht e vështirë si ndeshje futbolli, përveç ngarkesave të tjera.
Skuadra e Serbisë? – Serbia ka kualitete, traditë sportive, shkollë të mirë futbolli, individë të mirë dhe kjo është ajo që na bën të mendojmë që ne i kemi mundësitë për të arritur rezultat, sepse mendojmë se kemi një skuadër më kompakte, më e lidhur me fanelën dhe interesimi në shkallët e stadiumit është shumë më i madh se në Serbi. Këto na bëjnë të mendojmë se ne mund të shkojmë në një rezultat pozitiv vetëm duke gjetur balancat emocionale, duke dhënë gjithçka në fushë.
Mesazhi që do i jepje futbollistëve? – Jua kam dhënë dhe nuk dua t’i bezdis më deri në ditën e ndeshjes. Kjo ndeshje, sipas meje dhe besoj se e kam eksperiencën e duhur, nuk ka nevojë për motivim. Futbollistët janë shumë të motivuar, duhet të gjejnë balancat dhe të kenë impenjimin dhe motivimin maksimal për të marrë maksimumin. E njëjta gjë edhe për trajnerin. I kam thënë që ne duhet ta përgatisim dhe ta jetojmë si një ndeshje futbolli, kundër një kundërshtari me kualitet, që ne duam t’i marrim fitoren dhe vendin e dytë.
Ndeshja më e vështirë në Tiranë apo në Beograd? – Mua më duket më e vështirë këtu. Presioni më i madh është këtu, sepse jashtë fushës është pak më ndryshe dhe faktikisht, eksperienca ka treguar se jashtë fushës kemi bërë ndeshje të mira. Nuk është caktuar akoma se ku do të luhet ndeshja në transfertë me Serbinë, por ka shumë mundësi që nuk do të luhet në Beograd, por në një stadium tjetër me përmasa më të vogla.
Ke folur me Presidentin e Federatës Serbe të Futbollit? – Jemi takuar së fundmi në finalen e Champions League. Presidenti i Federatës Serbe është Dragan Džajić, ish-futbollist i madh. Ka respekt për futbollin shqiptar, jo vetëm për futbollin e sotëm, por për të gjithë historinë e futbollit shqiptar. Madje, në takimin e fundit kemi kujtuar edhe barazimin e Shqipërisë me Gjermaninë që favorizoi Jugosllavinë për t’u kualifikuar në 1967.
Komenti i Presidentit të Serbisë, që ka bërë thirrje për fitore në Tiranë? – Është sensitive si ndeshje. Futbolli është shumë i rëndësishëm dhe politika dëshiron ta përdorë. Në këtë rast, Vucic ishte në një miting dhe dëshironte të shfrytëzonte edhe figurën e trajnerit të Serbisë dhe sensibilitetin që ka ndeshja për të marrë benefite politike.
Kërkesat për bileta në ndeshjen me Serbinë? – Kërkesa të jashtëzakonshme. Organizimi i ndeshjes ka shumë ngarkesë. Para një jave më kanë thënë që ka pasur më shumë se 200 mijë aplikime. Nuk e di nëse ky është i fundit, se mund të jenë dhe më shumë. Shpërndarja me short është e rastësishme, sistemin nuk e përdorim vetëm ne, është ndërkombëtar. Kështu e përdor UEFA dhe FIFA. Nuk kemi pasur bileta të dedikuara për askënd. Bileta të dedikuara ka pasur vetëm për ato që Federata ka marrëdhënie kontraktuale; sponsorë, skautë, media etj. Këtë e kemi konsideruar si politikë më të mirë për t’u dhënë shanse të barabarta të gjithëve për të qenë në stadium. Të gjithë duhet të kenë shanse të barabarta për të qenë në stadium. Kjo padyshim ka sjellë një lloj pakënaqësie, pasi në të shkuarën i kemi dhënë disa grupimeve bileta të grupuara. Tashmë kemi vendosur që, si të gjitha Federatat e tjera të Europës, t’i shpërndajmë në mënyrë të barabartë për të gjithë, sepse në fund të fundit ne e konsiderojmë që të gjithë ata që vijnë në stadium janë një grupim që mbështet ekipin Kombëtar.
Një mesazh për tifozët në ndeshjen Shqipëri–Serbi? – Nga publiku presim të mbështesë skuadrën me entuziazëm dhe me “Fair Play” në shkallët e stadiumit, në mënyrë korrekte dhe sportive. Uroj ta shijojnë atë ndeshje me rezultat pozitiv. Do të jetë një gjë shumë e keqe nëse humbim, por duhet të dimë të jetojmë edhe kur humbim dhe fitojmë. Ky është futbolli. Ka aq shumë ngarkesë kjo ndeshje, sa do ta dëshiroja fitoren po njësoj si kualifikimin në Botëror. Mesazhi është që vërtet ta jetojnë si një ndeshje futbolli. Mos ta shohin si luftë. Kualifikimi në Botëror është një rrugëtim shumë i vështirë që në short. Nëse i kthehemi prapë, nëse do të ishte ai short që ne kishim në Europian, ne u renditëm të parët dhe do të ishim në Botëror. Tashmë është Anglia. Është e vështirë ta kalosh Anglinë, pasi nuk ka bërë kurrë hapa fals në eliminatore, vetëm në finale. Vendet e para kualifikohen direkt, ndërsa vendi i dytë do të shkojë në “play-off”. Janë 12 skuadra në “play-off” për të kaluar 4 skuadra. Rruga është e vështirë, por jo e pamundur.
Euro U-21 2027? – Është kompeticioni i dytë më i rëndësishëm i UEFA-s. Ekipet pjesëmarrëse janë 16. 8 do të luajnë në Shqipëri dhe 8 në Serbi. Do të luhet në 4 stadiume në Shqipëri dhe finalja do të luhet në “Arenën Kombëtare” në Tiranë. Stadiumet në të cilat ne kemi aplikuar janë “Arena Kombëtare”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Arena Egnatia”. Por nëse ne do të ndërtojmë ndonjë stadium, pasi kemi disa projekte, mund të bëjmë ndonjë ndryshim të vogël. Edhe “Arena e Demave” e Partizanit mund të adoptohet për të pritur ndeshjet e Europianit U-21. Sot është me fushë artificiale dhe nuk mund të luhet atje. Në projektin tonë, në bashkëpunim me klubin e Partizanit, është që fushën ta ndërrojmë dhe ta bëjmë natyrale. Është planifikuar si një stadium rezervë. Nuk besoj se mund të arrihet stadiumi i Durrësit dhe “Selman Stërmasi”.
Ekipi ynë do të luajë në Shqipëri dhe ekipi serb në Serbi. I vetmi shans për t’u përballur bashkë është në gjysmëfinale ose finale. Dy grupe do të luajnë këtu dhe dy grupe në Serbi.
Kampionati Europian U-17 “Shqipëri 2025”, si shkoi organizimi i këtij kompeticioni? – Ishte një eksperiencë shumë e mirë, shumë e suksesshme. Gjatë këtyre ditëve kemi marrë falënderime dhe përgëzime nga të gjitha Federatat pjesëmarrëse dhe opinionet e tyre dhe të stafeve të tyre për eksperiencën që kanë kaluar në Shqipëri. Pavarësisht se Gjermania nuk pati fat që të kalonte grupin, dje kemi marrë falënderimet e tyre për organizimin dhe gjithçka tjetër. Michael Ballack ka qenë në Elbasan. Ka pasur shumë figura dhe skautë që kanë ndjekur Europianin. Kampionati Europian i zhvilluar në Shqipëri është i dyti më i ndjekur në të gjithë historinë e UEFA-s. Mesatarja e ndjekësve në shkallët e stadiumeve ishte 4500 spektatorë. Rekordi është në një kampionat të zhvilluar në Gjermani, me 5600 spektatorë të zhvilluar për ndeshje. Me pjesëmarrje, organizim, infrastrukturë, hoteleri dhe fushat e stërvitjes, çdo gjë ishte mirë.