Donnarumma në qendër të kritikave, Mancini i del në mbrojtje gardianit italian

PSG u eleminua nga Real Madrid nga Champions League pas humbjes 3-1 në “Santiago Bernabeu”, ndërsa takimi i parë i luajtur në Francë kishte përfunduar me fitoren minimale 1-0 për skuadrën franceze.

Portieri i PSG-së, Gianluigi Donnarumma është në qendër të vëmendjes pas një gabimi të kushtueshëm kundër madrilenëve. 23-vjeçari humbi topin brenda zonës me Karim benzema që përfitoi dhe barazoi rezultatin 1-1.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, trajneri i Italisë, Roberto Mancini e ka telefonuar dje 23-vjeçarin për ta qetësuar, pasi Azzurrët do të luajnë ndeshjen ‘play-off’ të Kupës së Botës kundër Maqedonisë së Veriut pas më pak se dy javësh dhe për këtë sfidë trajneri i kombëtares italiane dëshiron që gardiani i portës të jetë i qetë spikologjikisht.

Pas ndeshjes me Real Madrid, largimi i 23-vjeçarit nga gjigandët e Ligue 1, mund të ndodhë gjatë merkatës së verës, me Juventusin që është në “pole-position” për të siguruar shërbimet e ish-portierit të Milanit.

Mbetet për t’u parë se sa do të kërkonte PSG për yllin e tyre dhe si do ta menaxhonte Zonja e Vjetër polakun Wojciech Szczesny, i cili ka kontratë deri në qershor 2024 në Torino./ h.ll/albeu.com


Shtuar 11.03.2022 12:49