Dita e ndeshjes: Shqipëria luan në udhëtim te Letonia, kërkohet fitorja e parë në muajin qershor

Pas barazimit pa gola 0-0 në përballjen e shumëpritur ndaj Serbisë në ‘Air Albania’, Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë sonte ndeshjen e dytë kualifikuese të muajit qershor dhe të katërtën në grup për Kampionatin Botëror 2026.

Kuqezinjtë do të përballen me Letoninë në stadiumin ‘Skonto’ të Rigës, me fillim nga ora 20:45.

Kjo ndeshje është vendimtare për vazhdimësinë e Shqipërisë në Grupin B, dhe fitorja është objektivi kryesor i skuadrës së drejtuar nga trajneri Sylvinho.

Shqipëria synon të rikthehet te suksesi, por do të duhet ta bëjë këtë pa kapitenin e saj, Berat Gjimshiti.

Qendërmbrojtësi i Atalantës është i pezulluar për shkak të kartonit të verdhë të marrë në ndeshjen ndaj Serbisë, çka paraqet një mungesë të ndjeshme në repartin defensivë.

Në mungesë të Gjimshitit, pritet që trajneri Sylvinho t’i besojë vendin në qendër të mbrojtjes Adrian Bajramit, i cili ka lënë përshtypje të mira gjatë stërvitjeve dhe është gati për të debutuar në këtë cikël eliminator.

Letonia, nga ana tjetër, kërkon të reagojë pas një forme të dobët në ndeshjet e fundit, dhe përballja me Shqipërinë është një mundësi për të befasuar. Megjithatë, cilësia dhe përvoja janë në anën e kuqezinjve.