Dinamo ka marrë një fitore të merituar ndaj Skënderbeut në Korçë dhe në të njëjtën kohë ka kaluar Kastriotin në renditje, duke u pozicionuar në vend të tetë.
Kryeqytetasit morën tre pikë të vlefshme pas fitores minimale 1-0 ndaj korçarëve, megjithatë kanë dominuar dhe diktuar ritmin e kësaj sfide.
Goli i vetëm dhe i fitores për “blutë” e kryeqytetit u realizua në minutën e dytë nga Redon Mihana, i cili i dha sigurinë ekipit të tij.
Pjesa e parë e këtij takimi u dominua nga Dinamo, ndërsa në fraksionin e dytë Skënderbeu “ndryshoi” fytyrë, por nuk ia doli të merrte barazimin. Në minutën e 75’ Pusi pati një super mundësi për të marrë gol, por Mensah ishte në pozicion të parregullt.
Ndërsa edhe në këtë takim në stadiumin Skënderbeu ka pasur skena dhune, me tifozët që qëlluan arbitrin anësor, ngjarje e përsëritur kjo.
Pas kësaj sfide Dinamo renditet në vend të tetë me 23 pikë, teksa Skënderbeu vijon të qëndrojë i fundit me 17 pikë të grumbulluara në 24 ndeshje dhe në të njëjtën kohë shkon në 12 ndeshje pa fitore.