Derbi në Kupën e Italisë, Inzaghi: Vitrinë e bukur për Milanon, ja çfarë mund të bëjë diferencën

Interi do të luajë kundër Milanit derbin në raundin gjysmëfinal të Kupës së Italisë, takim që do të zhvillohet ditën e nesërme.

Zikaltërtit nesër do të kërkojnë edhe “hakmarrjen” ndaj kushërinjëve, për atë humbje në derbin e zhvilluar për llogaritë e Seria A.

Për “Sportmediaset” ka folur trajneri Simone Inzaghi, ku ka theksuar se përballja me kuqezinjtë e Piolit do të jetë e vështirë, por skuadra e tij do të bëjë diferencën në këtë takim.

“Do të jetë një betejë ku të gjithë do të përpiqen të mbizotërojnë mbi tjetrin, por në të njëjtën kohë do të jetë një ndeshje, në të cilën aspekti mental dhe motivues do të bëjnë diferencën.

Do të jetë një vitrinë e bukur për qytetin e Milanos, por fokusi ynë duhet të mbetet te fusha e blertë dhe performanca. Është normale që të shënosh një gol jashtë fushe do të ishte shumë e rëndësishme.

Si mund të bëjë Interi, për të rifilluar pas periudhës jo të mirë? Duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, duke u përpjekur të rikuperojmë energjitë fizike dhe mendore, pa u shqetësuar se çfarë do të ndodhë më pas. Për mendimin tim, kjo është mënyra e vetme për t’u rikthyer në më të mirën tonë”, ka deklaruar tekniku i zikaltërve. /h.ll/albeu.com


Shtuar 28.02.2022 16:40