Derbi i Madridit, Reali dhe Atletico përballen sonte në “Santiago Bernabeu”

Java e 23-të në La Liga sjell sonte derbin e kryeqytetit të Spanjës, mes Real Madridit dhe Atletico Madridit.

Rivalët lokal do të takohen në “Santiago Bernabeu”, me ndeshjen që do të luhet nga ora 21:00, shkruan Gazeta Express.

“Los Blancos” synojnë fitoren për të vazhduar rrugën e tyre drejt titullit të kampionit, derisa “Los Colchoneros” po luftojnë për një vend në top-katërshe – por, nuk janë edhe pa gjasa për titullin e më të mirit në Spanjë.

Real Madridi prin në tabelë me 57 pikë, një më shumë se Girona e pozitës së dytë, andaj me fitore eventuale sonte mund të rrisin diferencën e pikëve.

Atletico Madridi është i katërti me 47 pikë.

Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti po kalon formë fantastike dhe do të hyjë në ndeshjen e sontme pas gjashtë fitoreve rresht në La Liga.

Në anën tjetër, të udhëhequrit e Diego Simeones te rivalët lokal udhëtojnë pas tri fitoreve rresht.

Atletico ia ka shkaktuar humbjen e vetme këtë sezon Realit në kampionat, pasi kishte triumfuar 3:1 në përballjen e parë.

Këto dy skuadra u takuan pastaj edhe në Superkupën e Spanjës, ku triumfoi Real Madridi me rezultatin 5:3.

Derbi i fundit i Madridit u luajt në Kupën e Mbretit, aty ku Atletico Madridi fitoi fitoi me rezultatin 4:2. /Gazeta Express/


Shtuar 4.02.2024 12:16