De Biasi, ish-mesfushor, sot trajner, po pret një telefonatë për aventurën e tij të radhës: “Përvoja më bën të ndihem i fortë, ende mund të jap shumë.”
“Afër San Martino di Colle Umberto, vendlindja e Ottavio Bottecchia-s, çiklistit që fitoi Turin e Francës dhe që vdiq i masakruar në rrahje, pa u kuptuar kurrë pse. Disa thonë se e rrahën sepse mori një grusht rrushi, të tjerë thonë diçka tjetër. Që fëmijë, kjo histori më tronditi. Kam qenë ndihmës-meshar në Veneto-n e viteve ’60, kush shkonte në meshë, mund të luante në fushën e kishës”, thotë De Biasi.
Kur ishte fëmijë, ishte tifoz i Juventusit, por më pas…
“E lashë atë ditë kur luajta për herë të parë kundër tyre, me Pescara-n. Juventinët ishin jashtëzakonisht antipatikë. Në fushë silleshin si zotër të gjithçkaje, me një snobizëm të papërballueshëm. Që aty e tutje, simpatia për Juventusin më ra. Sot mbështes vetëm skuadrat që stërvis”, tha ish-trajneri i Kombëtares.
Edhe Inter-i ishte një zhgënjim për ju
“Sezoni 1975–76, isha një mesfushor me premtime dhe më vendosën në dhomë me Sandro Mazzola-n, një mit. Mazzola mbante dritën ndezur deri natën vonë sepse shkruante autobiografinë e tij. ‘Gianni, të bezdis llampa?’ – ‘Jo, si mund të më bezdisë’. Por në të vërtetë më prishte gjumin. Zhgënjimi më i madh ishte që nuk debutova kurrë në Serie A. Në Perugia isha gati të futesha në lojë, por dikush u dëmtua dhe trajneri, Chiappella, ndryshoi mendim, futi Acanfora-n. Rezultati: zero ndeshje me skuadrën e parë të Interit, vetëm me të rinjtë”, thotë De Biasi
De Biasi, një mesfushor luftarak
“Në të vërtetë në fillim isha mesfushor ofensiv. Brescia ishte skuadra ku luajta më shumë dhe ku pata Gigi Simonin si trajner. Më quante ‘kali i vogël’ i tij, do të isha futur në zjarr për të. Një mjeshtër. Te Brescia shkova si pjesë e marrëveshjes për Beccalossi-n. Të markoje ‘Becca’-n ishte e pamundur, nuk ia merrje dot topin, për ta ndalur duhej ta godisje. I dërgoj një përqafim të madh”, shprehet tekniku italian.
De Biasi si trajner
“E kam nisur nga baza, në provincën më të thellë. Nuk kam pasur kurrë menaxher, kam refuzuar dy herë Gea-n. E kam ngjitur malin pa helikopter. Kush ngjitet me kazmë, shijon më mirë panoramën”, thotë ai.
Te Brescia trajnoi Roberto Baggion
“Sezoni 2003–04, i fundit për të. Ishte shumë e lehtë ta trajnoje: ‘Njerëzit duan të shohin Robi Baggion’, i thosha, dhe pikë. Kishte gjunjët e shkatërruar dhe kjo i shkaktonte probleme me shpinën. Unë përdorja skuterin dhe mbaja një brez elastik rreth barkut, neopren, kundër erërat e forta. Një ditë i them: ‘Robi, provoje këtë brez’. E mori, e vuri, luajti me të dhe nuk e hoqi më, i iku dhimbja e shpinës, qëndrimi i trupit u stabilizua. Tani që mendoj: ‘Robi, nuk ma ka kthyer atë gjënë! Mos u shqetëso, po bëj shaka’. Baggio ishte një kampion i papërshkrueshëm, i shtyrë nga një pasion i zjarrtë. E shihja që vuante: ‘Robi, nëse nuk mundesh…’ dhe ai, në dialekt venecian: ‘Mister, unë do luaj’”, rrëfen De Biasi.
Torino, një tjetër kapitull i bukur
“Ngjitja në Serie A që në sezonin e parë, shkarkimi, rikthimi dhe shpëtimi. Pastaj edhe një herë tjetër dhe përsëri shpëtim. Me presidentin, Urbano Cairo, kishim keqkuptime, por u zgjidhën. Më gëzoi shumë që më ftoi në ditëlindjen e tij dhe nga skena tha: ‘Në fillimet e mia te Torino, bëra një çmenduri, e shkarkova De Biasin’. Më thoshte se do të isha Ferguson-i i tij dhe në një farë mënyre, ashtu isha… me këste”, u shpreh trajneri nga Veneto.
Shqipëria, kryevepra e De Biasit
“U kualifikuam në Europianin 2016, me fitore në Portugali kundër CR7-ës. Kisha miqësi me kryeministrin Edi Rama, një juventin fanatik, por ç’rëndësi ka. Rama e modernizoi Shqipërinë, e çoi në të ardhmen. Sot Tirana është një qytet i ri dhe dinamik. Kur Rama më dha Kryqin e Skënderbeut, nderin më të lartë të vendit, më tha me shaka që do më hiqte pasaportën italiane nëse firmosja për ndonjë tjetër… Rama më dha pasaportë diplomatike shqiptare, me të cilën shkoj kudo dhe më ka zgjidhur disa probleme në vende të vështira. Kur ka radhë, unë kaloj shpejt”, tregon De Biasi.
Në vitin 2016, para Europianit, ishit shumë afër Italisë.
“Më telefonoi Michele Uva, atëherë drejtor i përgjithshëm i Federatës Italiane të Futbollit. Trajneri Conte kishte njoftuar se pas Europianit do shkonte te Chelsea dhe unë isha në krye të listës për ta zëvendësuar. Është e vërtetë që presidenti i federatës shqiptare, Armando Duka, më tha se nuk mund t’i lija në atë moment, se po të shkoja në Francë si trajner në largim, do e dëmtoja Shqipërinë, por besoj se ka pasur edhe ndonjë arsye tjetër. Nuk e di. Më mbetet një pendesë e madhe, madje një zemërim i vërtetë”, tha ai.
A ju kanë kontaktuar për të zëvendësuar Spallettin?
“Jo, dhe për këtë më ka ardhur keq. Sot ndiej se jam tridhjetë herë më i mirë, kam mësuar shumë nga goditjet që kam marrë. Përvoja të jep njohuri superiore”, thotë tekniku italian.
Një dëshirë jashtë futbollit?
“Vajza ime Chiara, okuliste dhe oftalmologe në spitalin e Pordenones, u martua në qershor dhe shpresoj që të më bëjë gjysh. E kam moshën e duhur”, përfundoi ish trajneri i Kombëtares.