Dardanët vazhdojnë përgatitjet drejt miqësores me Armeninë, lëndohet një lojtar dhe largohet nga grumbullimi

Kosova e ka zhvilluar të mërkurën stërvitjen e katërt në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet miqësore të këtij muaji, kundër Armenisë dhe Komoreve.

Seanca është mbajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe është karakterizuar me angazhim maksimal dhe atmosferë shumë pozitive brenda grupit.

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka vendosur fokusin kryesor të kësaj seance në aspektin taktik, për të përgatitur skuadrën sa më mirë për ndeshjen e parë miqësore, që zhvillohet të premten kundër Armenisë.

Atmosfera në kampin dardan është shumë e mirë dhe harmonike. Edhe lojtarët e rinj që për herë të parë janë bashkuar me kombëtaren janë ambientuar shpejt me grupin dhe po japin maksimumin në çdo stërvitje, shkruan FFK.

Për shkak të lëndimit, mbrojtësi Ismajl Beka është larguar dje nga grumbullimi, derisa pjesa tjetër e futbollistëve janë në gjendje të mirë fizike dhe kanë stërvitur me kapacitet të plotë.

Kombëtarja do të mbajë nesër stërvitjen e fundit para miqësores me Armeninë, po ashtu në “Fadil Vokrri”, në orën 17:00.


Shtuar 4.06.2025 20:22