Cristiano Ronaldo pritet të jetë sot në Shtëpinë e Bardhë së bashku me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, për një takim të mundshëm me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
Sipas “The Athletic”, superylli portugez mund të marrë pjesë në një takim diplomatik, megjithëse as pala saudite dhe as ajo amerikane nuk kanë dhënë ende konfirmim zyrtar.
Vizita e Mohammed bin Salman në SHBA do të ishte e para pas shtatë vitesh, një periudhë e shënuar nga tensione ndërkombëtare dhe kritika të gjera pas raportimeve se ai mund të ketë autorizuar vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, një akuzë që MBS dhe Arabia Saudite e kanë mohuar vazhdimisht.
Raportohet se gjatë takimit të mundshëm në Washington, Trump dhe Princi i Kurorës pritet të diskutojnë mbi Marrëveshjet e Abrahamit, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe investimet dypalëshe.
Ronaldo, i cili luan për Al-Nassr në Arabinë Saudite, ka qenë shpesh pozitiv në deklaratat e tij mbi vendin dhe rolin e tij në futbollin saudit.
Në një intervistë të mëparshme me gazetarin Piers Morgan, Ronaldo kishte shprehur dëshirën për t’u takuar me Trump, duke thënë se “ai është një nga ata njerëz që mund ta ndryshojnë botën”.
