Ballkani ka pësuar disfatë 0-1 ndaj Plzen, në ndeshjen e xhiros së pestë të grupeve të Conference League, takim ky i luajtur në “Air Albania”. Rasti i parë konkret i ekipit nga Suhareka erdhi në minutën e 13-të, kur një skemë e mirë-menduar për pak sa nuk finalizohet në gol nga Kuc. Pak më vonë, provoi edhe Kuc, por portieri Baier nuk e pati të vështirë të neutralizonte sferën.
Edhe mysafirët çek treguan dëshirë për të zhbllokuar llogaritë, gjithsesi pa rezultat. Në fundin e pjesës së parë, Ballkani tentoi për t’iu afruar golit me Karricën, “gardiani” i Plzen kuptoi gjithçka duke bërë një pritje fantastike. Në pjesën e dytë, skuadrat u kujdesën shumë që të mos pësonin. Në të 79-tën, Jashanica mori përsipër ekzekutimin e një goditje dënimi, duke shkaktuar drithërima te porta kundërshtare. Në të 80-tën, Plzen kaloi në epërsi falë golit të Sulc.
Kështu, një javë para fundit, Plzen kryeson grupin me pikët e plota (15), kundrejt Ballkanit të Ilir Dajës që e sheh veten në vendin e katërt me 4 pikë (Ndeshja e radhës ndaj D.Zagreb). Se kush do ia dalë të marrë vendin e dytë do shikohet në fund, pasi Dinamo Zagreb ka 6 pikë dhe Astana 4 pikë. Matematika e kualifikimit duket e thjeshtë, duhet fituar në Zagreb dhe Astana nuk duhet të triumfojë me Plzenin.