Conferenc League, Partizani humbet minimalisht në Kazakistan, shpreson në ndeshjen e kthimit (VIDEO)

Partizani është mundur me rezultatin minimal 0-1 nga Astana në Kazakistan në ndeshjen e parë të vlefshme për play-off-et e Conferecne League.

Sa i përket ndeshjes, skuadra kazake ishte më kërkuese në pjesë e parë duke rrezikuar jo pak portën e Partizanit, por mbrojtja dhe portieri Pano Qirko arritën të shpëtonin skuadrën nga disa gola të sigurt.

Megjithatë, Astana arriti të zhbllokonte sfidën 4 minuta nga fundi i pjesës së parë, falë golit të realizuar nga Stjpan Loncar (41).


Në pjesën e dytë u pa në fushë një Partizan ndryshe, teksa protagonist absolut u bë mesfushori Arinaldo Rrapaj, i cili provoi disa herë të gjejë golin e barazimit me goditje nga distanca, por nuk kalibroi si duhet të djathtën.

Nga ana tjetër Astana shënoi edhe dy gola të tjerë, por të dy u anuluan për pozicion jashtë loje, duke bërë që vërshëllima finale të lërë në fuqi rezultatin 1-0, i cili lë tërësisht të hapur garën për kualifikimin në fazën e grupeve.

Tashmë Partizanit i kërkohet një 90-minutësh perfekt në ‘Elbasan Arena’, ku bashkë me tifozët në tribuna, do të provojë përmbysjen e madhe dhe historike.


Shtuar 24.08.2023 18:28