Claudio Ranieri ka refuzuar një ofertë nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC) për të marrë drejtimin e kombëtares italiane, pasi nuk ishte i bindur për të marrë një rol të dyfishtë si trajner i “Azzurrëve” dhe këshilltar i pronarëve të Romës.
Presidenti i FIGC, Gabriele Gravina, kishte zhvilluar bisedime me 73-vjeçarin, i cili aktualisht është këshilltar i pronarit të Romës, Dan Friedkin, pas një periudhe gjashtëmujore si trajner i përkohshëm i klubit kryeqytetas.
Federata Italiane ishte e hapur për ta lejuar Ranierin të mbante edhe rolin e tij te Roma, por burime me njohuri të drejtpërdrejta mbi çështjen kanë treguar se veterani nuk ishte i bindur për të përballuar një rol të dyfishtë si me klubin, ashtu edhe me kombëtaren.
Dan Friedkin kishte dhënë dritën jeshile për këtë marrëveshje, si nga ana e tij ashtu edhe nga ajo e FIGC, por ish-trajneri i Leicester City zgjodhi të mos e pranonte ofertën.
Me shumë gjasë, Ranieri ka menduar se nuk do të kishte kohën e mjaftueshme për të zhvilluar projektin te Roma, ndërkohë që do të drejtonte edhe kombëtaren italiane.
Kjo do të thotë se FIGC mbetet ende në kërkim të një pasuesi për Luciano Spallettin.
Stefano Pioli është një kandidat serioz, edhe pse ka zhvilluar tashmë bisedime me Fiorentinën.