Chelsea thuhet se mund të përjashtohet nga Premier League përpara sezonit të ardhshëm nëse shitja dështon.
Ky lajm vjen pasi Roman Abramovich kërkoi që 1.6 miliardë paund që i huazoi klubit përmes një mjeti investimi të shlyheshin plotësisht.
Siç ka raportuar “The Sun”, megjithëse bashkëpronari i LA Dodgers, Todd Boehly është ofertuesi i preferuar, ekziston rreziku që bisedimet të mbyllen dhe çdo marrëveshje të bllokohet.
Në të kaluarën, Abramovich i huazoi klubit 1.6 miliardë paund përmes “Camberley International Investment” me bazë në Jersey.
Edhe pse fillimisht tha se nuk donte kthimin e parave, kjo duket se ka ndryshuar, pasi ai tani kërkon që borxhi t’i kthehet kompanisë mëmë të Chelseat, “Fordstam”.
Megjithatë, kjo do ta bënte atë të fitonte një pjesë të konsiderueshme të fondeve të shitjes, të cilat qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka përsëritur se nuk do t’i pranojë për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj miliarderit rus.
Chelsea-t i është bërë e qartë se licenca e operimit të klubit zgjat vetëm deri më 31 maj.
Marrëveshja e blerjes duhet të jetë e pranueshme për Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe duhet të sigurojë që Abramovich të mos fitojë para prej saj.
“The Sun” raporton se nëse marrëveshja nuk përfundon deri në atë datë, atëherë ekziston një mundësi reale që Chelsea të ndalohet nga pjesëmarrja në Premier League 2022/23./ h.ll/albeu.com