Chelsea ka marrë një vendim përfundimtar në lidhje me transferimin e përhershëm të Jadon Sanchos, i cili aktualisht është i huazuar nga Manchester United deri në fund të muajit qershor.
Sipas marrëveshjes mes klubeve, huazimi përfshinte një klauzolë blerjeje prej 25 milionë eurosh.
Megjithatë, siç raportoi ‘The Telegraph‘ në shkurt, kjo klauzolë nuk ishte detyruese, por opsionale dhe Chelsea do të duhet të paguajë një tarifë prej 5 milionë eurosh nëse vendos të mos e aktivizojë atë.
Pas një fillimi të mirë sezoni, Sancho ka humbur gradualisht vendin si titullar te Chelsea muajt e fundit.
Sipas raportimit të David Ornstein nga ‘The Athletic‘, Chelsea ka vendosur të mos e blejë Sanchon përfundimisht dhe do të paguajë 5 milionë euroshin e penalitetit, duke bërë që lojtari të rikthehet te Manchester United gjatë verës.
Raporti shton se arsyeja kryesore e këtij vendimi është se klubi londinez nuk arriti të dakordohet për kushtet personale me futbollistin e përfaqësueses angleze.
Thuhet gjithashtu se Sancho do të eksplorojë mundësi të reja si brenda Anglisë, ashtu edhe jashtë saj, përpara se të marrë një vendim për të ardhmen e tij.
25-vjeçari kontribuoi në fitoren e Chelseat në Ligën e Konferencës, duke shënuar një gol në finalen e fituar me rezultat 4-1 ndaj Real Betis, pasi u aktivizua si zëvendësues në pjesën e dytë.
Ai ka qenë titullar i rregullt në Ligën Premier, por deri tani në vitin 2025 ka regjistruar vetëm dy kontribute direkte në gola.
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, Manchester United po kërkon ta shesë Sanchon gjatë verës për të siguruar fonde të nevojshme për përforcimin e skuadrës së trajnerit Ruben Amorim.
Sancho ishte larguar si huazim nga United përpara se Amorim të emërohej trajner në nëntor, por duket se nuk ka të ardhme në “Old Trafford” pavarësisht ndryshimeve në stafin teknik.
Një rikthim në Bundesligë, ku ka pasur sukses më parë me Borussia Dortmund, mbetet një mundësi reale për të. /Telegrafi/