Champions League, Guardiola: Duhet të jemi perfekt kundër Bayernit

Manchester City do të presë nesër në orën 21:00 Bayernin e Mynihut në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Në konferencën përpara ndeshjes, trajneri i “qytetarëve”, Pep Guardiola, u shpreh se skuadra e tij do të përpiqet në maksimum për ta fituar këtë vit trofeun e shumëpritur.

“Ne do të përpiqemi të fitojmë kundër një skuadre elitare si Bayerni i Mynihut. Duhet ta meritosh Championsin dhe ne do të përpiqemi të fitojmë ndeshjen e parë nesër. Ne jemi përpjekur çdo sezon për ta fituar, por këtu ndeshesh me skuadra që janë të forta. Ne do të përpiqemi gjithmonë, por kjo s’do të thotë që do ta fitojmë. Majkëll Xhordan fitoi 6 tituj NBA, sa sezone luajti ai? 16. Ne duhet të jemi perfekt dhe të marrim një rezultat të mirë përpara se të shkojmë në Gjermani.

Goditja e gjyqtarit ndaj Robertson? E dëgjova, por nuk e pashë, sepse isha duke ndjekur Bayernin dhe golf.

Përballja me Tuchelin pas finales së humbur? Është diçka që ndodh. Ne e pamë ndeshjen një muaj më pas dhe nuk kishim luajtur dhe aq keq. Ishte një ndeshje e fortë, por e kemi harruar dhe tani do të përpiqemi ta fitojmë sërish. Disa herë fiton kur e meriton dhe disa herë humbet. Unë nuk jetoj në të shkuarën.

Haaland është shumë i rëndësishëm për ne. Ai erdhi për të na ndihmuar që të fitonim Championsin, por në të njëjtën kohë edhe Premier Ligën me Kupën FA. Është e rëndësishme të kesh një lojtar që shënon nga asgjëja”, u shpreh Guardiola.


Shtuar 10.04.2023 22:38