Categories: sport

Çerimagiq: Mbështetja e Putinit për Vuçiqin, pjesë e projektit të “Botës Serbe” sipas Vulin

Analisti boshnjak Adi Çerimagiq ka komentuar qëndrimet e Aleksandar Vulinit, ish-ministrit serb të Mbrojtjes dhe ish-drejtorit të inteligjencës, i cili e sheh përkrahjen e presidentit rus Vladimir Putin për Aleksandar Vuçiqin si të lidhur me idenë e bashkimit të serbëve në kuadër të konceptit të “Botës Serbe”.

Duke iu referuar një interviste të Vulinit, Çerimagiqi ka theksuar se ai nuk e interpreton mbështetjen e Moskës vetëm si përkrahje për Vuçiqin, të cilin Putini e konsideron kryeministër të ardhshëm të Serbisë, por edhe si mbështetje për bashkimin e serbëve që jetojnë në shtete të ndryshme.

Të lidhura

None found

Gjatë intervistës, Vulin ka mbështetur deklaratat e Putinit se serbët janë ndarë në mënyrë të padrejtë mes disa shteteve dhe se, sipas presidentit rus, ata po dënohen për një faj që nuk e kanë bërë.

“Kjo nuk ishte mbështetje vetëm për presidentin Vuçiq (…). Kjo është mbështetje për konceptin e Botës Serbe, është mbështetje për bashkimin e serbëve”, ka deklaruar Vulin.

Sipas Çerimagiqit, ish-zyrtari serb beson se zhvillimet e reja në rendin ndërkombëtar kanë krijuar rrethana në të cilat bashkimi i serbëve nuk shihet më si një ide e pamundur.

“Bota po ndryshon. Ajo që deri dje ishte e paimagjinueshme, që serbët të bashkohen, tani është shumë e imagjinueshme”, ka thënë Vulin.

Vulin, i cili ia ka atribuuar presionit të Bashkimit Evropian faktin që aktualisht nuk mban një detyrë qeveritare, ka deklaruar se kandidimi i tij për president synon ta kthejë mbështetjen ruse në hapa konkretë politikë.

“Është në dorën tonë dhe të kësaj gjenerate politikanësh të bëjmë gjithçka që mbështetjen e presidentit Putin, atë mbështetje të hapur për unitetin e popullit serb, ta shndërrojmë në realitet”, ka deklaruar ai.

Ai ka paraqitur edhe një strategji të përbërë nga dy etapa. Së pari, qytetarët duhet të votojnë për listën e drejtuar nga Vuçiqi në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Më pas, sipas tij, duhet të zgjidhet një president që do të angazhohet për “Botën Serbe” dhe bashkimin e të gjithë serbëve. Vulin nuk e ka fshehur synimin që këtë detyrë ta marrë vetë.

Çerimagiqi ka vënë në dukje se deklaratat e Vulinit bashkojnë përkrahjen e Moskës për udhëheqjen aktuale të Serbisë me një projekt politik që synon shtrirjen e bashkimit të serbëve përtej kufijve shtetërorë.

“Bota Serbe” përkufizohet si një ide për forcimin e lidhjeve kombëtare dhe politike mes serbëve në shtete të ndryshme të rajonit. Por deklaratat për bashkimin e tyre kanë shkaktuar shqetësime lidhur me sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku çështjet kufitare dhe marrëdhëniet mes komuniteteve vazhdojnë të jenë tepër të ndjeshme.

të fundit

Tre zyrtare kosovare mbarojnë Akademinë Kombëtare të FBI-së, Kosova kryeson botën për numrin e të diplomuarve

Tri zyrtare nga Kosova diplomuan në Akademinë Kombëtare të FBI-së, bëri të ditur Ambasada e SHBA-së në Kosovë. Në njoftimin…

7 minutes ago

Lushtaku kritikon Qeverinë Kurti: Buxheti rritet, por qytetarët po varfërohen

Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar Projektbuxhetin për vitin 2027, duke vënë në pikëpyetje ndikimin e rritjes së planifikuar të…

7 minutes ago

Kamberi para deputetëve serbë: Të drejtat e shqiptarëve nuk janë lëndë pazari, as nuk këmbehen me poste

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se të drejtat dhe barazia e shqiptarëve në Luginën e…

18 minutes ago

Abdixhiku kundërshton buxhetin 2027: Pa investime, ndihmat sociale nuk mjaftojnë për zhvillim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar sot projektbuxhetin 2027, duke thënë se politikat e Qeverisë…

18 minutes ago

Rama merr pjesë në samitin e “Koalicionit të Vullnetmirëve” në Berlin, flet për tryezën me Trump, Putin dhe Xi

Me ftesë të Kancelarit Federal të Gjermanisë, Friedrich Merz, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë sot në takimin e…

19 minutes ago

Vlora Municipality’s 2027 budget: 50 percent of funds for administrative salaries, zero investment for the water utility

Bashkia e Vlorës për vitin 2027 parashikon të ketë një buxhet rreth 82 milionë euro, ndërsa koha e shpalljes së…

26 minutes ago