Fabio Capello e ka vlerësuar sulmin e Liverpoolit si “sulmin më argëtues në Evropë”.
Gjigantët e Premier Ligës janë kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve pas barazimit 3-3 ndaj Benfikës të mërkurën mbrëma duke vazhduar tutje me rezultat të përgjithshëm 6-4.
I pyetur nga “Sky Sport Italia” nëse Klopp ka sulmin më të mirë në Evropë, ish-trajneri i Italisë u përgjigj:
“Është sulmi më argëtues. Kur ata e vendosin topin në zonë, nuk ka një lojtar që nuk është gati për të shënuar. Në “Anfield”, ata përmbushin mentalitetin e tyre sulmues në mënyrën më të mirë të mundshme”, vazhdoi Capello.
Capello është një admirues i madh i Klopp. Së fundmi ai ka pohuar se futbolli italian duhet të ndjekë stilin e tij të lojës, siç po bëjnë Atalanta dhe Genoa.
Pas eliminimit të Italisë nga play-off-i i Kupës së Botës muajin e kaluar, Capello tha se futbolli italian ka ndjekur stilin e Pep Guardiolës për 15 vjet, pavarësisht se nuk ka cilësinë për ta bërë këtë, ndërsa qasja taktike e gjermanit do t’i përshtatej më shumë “Azzurrëve”
75-vjeçari ka trajnuar Anglinë nga viti 2007 deri në vitin 2012 dhe është një nga trajnerët më fitues në historinë e futbollit, duke fituar, ndër të tjera, pesë tituj të Serisë A dhe një Ligë të Kampionëve.