Bruno Lulaj “kërcënon” Kukësin: Po përgatitemi maksimalisht për të kryer detyrat

Tirana do të luajë të shtunën në transfertë përballë Kukësit ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të të “Abissnet Superiore”. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Kukësi Arena”, do të startojë në orën 13:30. Në prag të kësaj sfide, në konferencën për shtyp para mediave ka folur mbrojtësi i bardhebluve, Bruno Lulaj. Ky i fundit shprehet se po përgatiten maksimalisht për këtë ndeshje.

“Pavarësisht humbjes me Skënderbeun po përgatitemi maksimalisht për të shkuar në Kukës dhe për të kryer detyrat, të marrim 3 pikëshin. Atmosfera është shumë e mirë pavarësisht gabimit në ndeshjen e kaluar me Skënderbeun, po punojmë me qetësi dhe do përpiqemi të minimizojmë gabimet e asaj ndeshje që të shkojmë drejt objektivit. Në futboll sulmojmë të gjithë bashkë dhe mbrohemi të gjithë bashkë, ne jemi një ekip që sulmon me shumë forca dhe ndonjëherë lemë edhe hapësira mbrapa por me përkushtim dhe sakrificë duhet ta përmirësojmë edhe këtë aspekt të mbrojtjes. Tirana në ADN-në e vet e ka pasur gjithmonë atë përpjekjen e rikthimit dhe duhet të tregojmë që pas asaj humbje ta kalojmë me sukses”, është shprehur mbrojtësi bardheblu. /newsport.al/


Shtuar 3.02.2024 10:45