Trajneri i Bërnlit, Skot Parker, ka qenë i lehtësuar pasi ka parë skuadrën e tij te dilte me një pikë nga fusha e Bornmuthit, në barazimin 1-1 që u vulos nga goli i Armando Brojës në minutën e 90.
Sulmuesi shqiptar e nisi ndeshjen nga stoli, ashtu si edhe Markus Eduards i cili dha asistin për këtë gol të tij dhe trajneri Skot Parker ka pranuar me humor pas sfidës se tani pret kritika se pse nuk i futi të dy që nga fillimi i sfidës.
“Kishte shumë trysni mbi ne dhe padyshim e theksova edhe në konferencën para ndeshjes që kemi qenë shumë pranë rezultatit dhe se si kemi pësuar gola idiotë. Ndaj ky progres, kishte diçka te ne sot që më pëlqeu dhe shkuam në këtë drejtim dhe morëm diçka nga ndeshja, që ishte shumë e kënaqshme, edhe pse në fundin e ndeshjes, nuk i dihet kurrë.
Goli nga dy zëvendësues? Një kontribut masiv, nuk e di a do të marr lëvdata për këtë, me shumë mundësi e kundërta. Me shumë mundësi do të pyesin pse nuk i futa nga fillimi dhe e kuptoj këtë. Por vlerësim maksimal për dy djemtë, absolutisht , jam super i lumtur për ta”, tha Parker pas ndeshjes që i dha fund serisë prej 7 humbjeve radhazi në kampionat.
