“Bratislavë 2025” përfundon me skandal, mundësi kuqezi konsiderohet si “tradhëtar” dhe keqtrajtohet gjatë ceremonisë së medaljeve

Sporti i mundjes është përfshirë në një skandal i vërtetë gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Europian të zhvilluar në Bratislavë të Sllovakisë.

Presidenti i Federatës Ruse të Mundjes dhe Zv/Presidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili, në momentin e dorëzimit të medaljes së Artë për Chermen Valiev, si Kampion Europe për Shqipërinë, ka bërë një gjest skandaloz, duke ushtruar forcë teksa i vendoste në qafë medaljen dhe më pas duke e shtyrë me duar.

Gjatë këtij momenti është dëgjuar edhe fjala “tradhëtar” për Chermen Valiev, që ka zgjedhur të garojë për Shqipërinë. Ky është një rast i paprecedent dhe një skandal i vërtetë për botën e sportit, që bie ndesh me parimet olimpike, të respektit, përsosmërisë dhe miqësisë. KOKSH ka mbajtur një qëndrim të fortë për këtë ngjarje.

“KOKSH dënon me forcë këtë gjest dhe do të vërë në dijeni të gjitha organizmat Olimpike Botërore, për fyerjen dhe dhunimin e sportistit, gjatë kësaj ceremonie të rëndësishme sportive. Shqipëria ka humbur plot 37 medalje Olimpike, Botërore dhe Europiane, për sportistë që për arsye të ndryshme kanë garuar për shtete të tjera, por asnjëherë, as Federatat dhe as Komiteti Olimpik, nuk janë prononcuar për të quajtur sportistët ‘tradhëtarë’”, thuhej mes të tjerash në një njoftim të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.


Shtuar 10.04.2025 14:30