Botërori ynë në shifra, disa futbollistë ende s’kanë debutuar në këto kualifikuese

Shqipëria po hyn në ditët e emocioneve të mëdha, pasi pas pak javësh do të luajë dy ndeshjet e fundit kualifikuese për në Kupën e Botës.

Kuqezinjtë kanë testin e parë më 13 nëntor kundër Andorrës, aty ku mund edhe të vendosen fatet e kuqezinjve në këtë rrugëtim që mund të hyjë në histori.

Pas Andorrës, Shqipëria do të presë Anglinë në “Air Albania”, e cila do të jetë edhe sfida e fundit e skuadrës sonë për këtë vit dhe për këto kualifikuese që kanë pasur jo pak emocione.

ë 6 ndeshjet e zhvilluara në grup, Kristjan Asllani, është lojtari që nuk ka humbur asnjë moment, duke qenë i vetmi i aktivizuar në të gjitha ndeshjet dhe pa u zëvendësuar asnjëherë.

Ndërkohë, të shumtë janë edhe lojtarët që janë grumbulluar me Shqipërinë, por që nuk kanë debutuar në këto kualifikuese dhe po presin ende për shansin e tyre.

MË TË AKTIVIZUARIT- Krisjtan Asllani është futbollisti që ka luajtur më shumë në këto kualifikuese. Mesfushori i Torinos ka zhvilluar me Shqipërinë plot 540 minuta, që përkon me 90 minuta për ndeshje, pa përfshirë këtu minutat shtesë që mund të jenë akorduar në sfida të ndryshme. Mesfushori ka realizuar edhe një gol vendimtar, duke shënuar me penallti ndaj Letonisë në fitoren që kuqezinjtë morën me rezultatin 1-0. Mund të duket e çuditshme, por portieri Thomas Strakosha që është aktivizuar në 6 ndeshje gjithashtu, ka në këmbë 532 minuta, 8 më pak se Kristjan Asllani.

Gardiani kuqezi u dëmtua në ndeshjen ndaj Andorrës dhe 8 minuta para fundit, ai u zëvendësua duke i lënë vendin Elhan Kastratit në fitoren që Shqipëria mori me rezultatin 3-0.

Pesë vendet e para si lojtarët me më shumë minuta, plotësohen nga Qazim Laçi me 472 minuta, Ajeti me 450 dhe Juljan Shehu me 445 minuta.

Jashtë kësaj pesëshe gjendet Berat Gjimshiti. Kapiteni kuqezi ka luajtur në 5 ndeshje, duke marrë 427 minuta ndërkohë që ka munguar në sfidën kundër Letonisë në transfertë për shkak të kartonëve.

LOJTARËT PA MINUTA- Nga të gjithë futbollistët që Silvinjo ka grumbulluar në kualifikueset e Botërorit, 10 futbollistë ende nuk e kanë provuar shijen e ndeshjeve zyrtare. Kështu, Medon Berisha që u aktivizua edhe në Europian nga trajneri brazilian, shpreson që të gjejë minuta në këto dy sfida të fundit ndërkohë që as portierët Dajsinani, Sherri e Simoni nuk kanë debutuar ende. Lojtarë të tjerë që nuk kanë luajtur asnjë minutë me kuqezinjtë, janë Cake, Çokaj, Kristian Shpendi, Brruti, Gripshi dhe Andi Hadroj. Sakaq, vetëm 1 minutë ka arritur të marrë Enea Mihaj si edhe i dyti me më pak minuta, renditet Elhan Kastrati, portieri i vetëm përveç Strakoshës që ka pasur mundësi të luajë në kualifikueset e Botërorit.


Shtuar 31.10.2025 11:14