Federata Shqiptare e Futbollit, ka zbardhur detaje nga procedurat e shitjes së biletave për ndeshjen e shumëpritur Shjqipëri-Serbi, e vlefshme për Eliminatoret e Botërorit 2026, që do luhet në Tiranë, mbrëmjen e 7 qershorit (e shtunë).
Gjithashtu, janë zbardhur edhe masat e sigurisë dhe kriteret për tifozët, kryesisht pajisja me kartën ID për të hyrë në stadiumin “Arena Kombëtare”.
“FSHF është e angazhuar për të garantuar një proces të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë tifozët që duan të ndjekin nga stadiumi ndeshjen shumë të rëndësishme Shqipëri–Serbi, që do të luhet më 7 qershor në stadiumin “Arena Kombëtare”, theksohet në njoftimin zyrtar të federatës.
Faza e aplikimit në internet për bileta është hapur prej 15 majit dhe u mbyll më 30 maj, për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.
Çdo aplikues, ka pasur të drejtë të aplikojë për të blerë deri në katër bileta. Procesi i përzgjedhjes ka qenë me short elektronik
“Nga 31 maj deri më 2 qershor, zhvillohet shorti elektronik që përzgjedh në mënyrë krejtësisht rastësore aplikuesit që do të fitojnë të drejtën për të blerë biletë. Çdo person i përzgjedhur do të marrë një e-mail zyrtar me një link personal, për të vijuar më pas me blerjen e biletave.
Numër i lartë aplikimesh. Deri më tani janë regjistruar mbi 200,000 aplikime, që tregon interesin e jashtëzakonshëm të publikut për këtë ndeshje”, thekson FSHF.
Një model i ngjashëm me UEFA-n
Ky është një model i njëjtë me atë të UEFA-s në rastet kur kërkesat janë jashtëzakonisht të larta, si në finalet e Champions League, Europa League, Conferece League apo Kampionateve Europianeve, ku aplikohet gjithashtu shorti elektronik i rastësishëm për përzgjedhjen e tifozëve.