Ashtu si në Stamboll, “shqiponjat” turke të Besiktas kanë arritur të gjejnë sërish fitoren ndaj “bardhebluve” të Tiranës, kësaj radhe me rezultatin e pastër 0 me 2, duke mbyllur këtë përplasje me rezultatin e përgjithshëm 5 me 1.
Ndeshja nisi me incidente, ku vetëm pak sekonda para nisjes së përballjes, tifozët e Besiktas filluan të sulmonin, tifozët e Tiranës të pranishëm në tribunat e “Air Albania”, mirëpo situata u qetësua shpejt nga stjuartët dhe forcat e rendit, duke vijuar kështu ndeshjen në normalitet.
Pjesa e parë nuk shkoi dhe aq mirë për “bardheblutë”, të cilët pavarësisht se po sulmonin gjatë gjithë kohës portën turke, dëmtimi i portierit, Gentian Selmani dhe “katalizatorit” të mesfushës, Ardit Deliu uli goxha ritmin e lojës së Tiranës.
Me nisjen e pjesës së dytë, vjen dhe dominimi i turqve, të cilët fillimisht gjetën rrugën e rrjetës, me anë të ganezit Daniel Amartey, në minutën e 57’-të të sfidës e më pas me “bomberin” kamerunas, Vincent Aboubakar në minutën e 75’-të të sfidës, duke eleminuar kështu nga faza kualifikuese “bardheblutë” e Tiranës.
Në fazën e tretë kualifikuese të Ligës së Konferencës, “shqiponjat” e Besiktas do të përballen me azerët e Neftci Baku, përballje që do të zhvillohen më 10 gushtë dhe 17 gusht.