Bayern Munich hap bisedimet me Newcastle për transferimin e Trippier

Bayern Munich janë të interesuar për të nënshkruar me mbrojtësin e djathtë Kieran Trippier, ka raportuar Sky Sports Germany.

Gjiganti bavarez është duke hasur në vështirësi për të arritur një marrëveshje me Paris Saint-Germainin për Nordi Mukiele dhe tani fokusi i tyre është tek Trippier.

Bordi i klubit së bashku me trajnerin Thomas Tuchel, kanë diskutuar intensivisht gjatë ditëve të fundit për mundësinë e transferimit të 33-vjeçarit.

Trippier ka shtatë asistime në 19 ndeshje në Ligën Premier për Newcastle këtë sezon, por paraqitjet e tij kanë rënë dukshëm gjatë javëve të fundit.

Ai ishte figura ‘tragjike’ në humbjet e Newcastle me rezultat 3-0 ndaj Everton dhe 4-1 ndaj Tottenhamit.

Pasimet e tij të gabuara u bën shkaktar që Chelsea të shënonte një gol në minutat e fundit në kuadër të çerekfinales së Carabao Cup, aty ku Newcastle humbi në penallti.

Reprezentuesi anglez ishte një ndër blerjet e para të mëdha për pronarët arab të Newcastle, kur u transferua për 12 milionë euro nga Atletico Madridi në janar të 2022.

Sidoqoftë, transferimi i Trippier mbetet në plan të dytë, pasi që ende Mukiele është opsioni kryesor për bavarezët dhe anglezi do të konsiderohet vetëm në rast se klubi gjerman dështon të arrijë një marrëveshje me PSG-në./Telegrafi/


Shtuar 20.01.2024 23:01